CV-ja juaj është dokumenti më i nënvlerësuar. I kushtoni shumë pak kohë kërkimeve për të patur një dokument sa më të mirë dhe nga ana tjetër aty varet gjithë ecuria e karrierës tuaj.Më poshtë janë dhjetë rregulla për ta sistemuar një herë e mirë e për ta patur gati për mundësitë e radhës.


⦁ Tregoni të vertetën
Mos shtoni apo hiqni përvoja nga rezume-ja juaj për t’u dukur më mirë. Është e pashmangshme që punëdhënësi juaj do verifikojë gjithcka që në intervistën e parë që do zhvillojë me ju e ndërkohë ju do rrezikoni të humbisni gjithë besueshmërinë. Kush dëshiron të punësojë një punonjës që gënjen që në fillim?

⦁ Sigurohuni që datat të përputhen
Kontrolloni datat e diplomës tuaj, të rrjeteve sociale (si Linkedin) apo të punëve që keni kryer (nëse janë bërë publikisht). Sigurohuni që të përputhen: nëse në CV keni përmendur që jeni diplomuar në korrik 2014, duhet të jetë e njëjtë me atë që shkruhet në diplomën tuaj. Po kështu, nëse përmendni që keni punuar për një shoqëri për periudhën nga janari 2018- dhjetor 2019, duhet që edhe pagesat e kontributeve shoqërore në librezë të jenë të njëjta.


⦁ Jini sa më konçiz
Askush nuk ka kohë të tepërt për të lexuar faqe që nuk mbarojnë ku ju përmendni çdo trajnim për shitjet apo lidershipin që keni kryer kur ishit student. Zgjidhni informacionin me të cilin do të dëshironit të identifikoheni dhe përpiquni të jeni sa më konçiz në mënyrën se si e përshkruani.


⦁ Përmendni shifra
Për një punëdhënës kanë rëndësi rezultatet tuaja, kontributi juaj në punët e mëparshme dhe në shifrat e punëdhënësve të mëparshëm. Konkretisht, nuk vlen të përmendni se jeni të mirë në shitje, në raport me një deklaratë që tregon se keni rritur shitjet e punëdhënësit të mëparshëm me 60% apo keni bërë shitje produktesh në vlerën 2 mln lekë. Jini sa më specifik dhe i besueshëm me numrat .


⦁ Fokusohuni tek përmbajtja jo tek emërtimi
Zgjidhni që para se të përmendni që jeni një folës i mirë, të përmendni një çmim që keni marrë për këtë qëllim, apo një aktivitet që është moderuar prej jush, apo një debat ku falë negociimit tuaj punëdhënësi fitoi një kontratë me rëndësi. Këto janë detajet që kërkon çdo lexues.


⦁ Shkurt dhe saktë

Një CV e mirë përmban pak elementë. Kjo nuk nënkupton që keni pak përvojë, por nënkupton që përvoja juaj është aq e mjaftueshme sa të vlerësoni nëse duhet të përfshini gjithcka në përmbledhjen tuaj apo jo. Për ilustrim, po ju tregojmë CV e Elon Musk.
https://novoresume.com/career-blog/elon-musk-one-page-resume


⦁ Përmendni interesa që lidhen me profilin tuaj

Nëse jeni një designer dhe aplikoni për sa më shumë punë të tilla, mos përmendni mes interesave tuaj gatimin apo rrjetet sociale. Do të tingëllonte jo profesionale dhe do të përcillte mesazhin e gabuar.


⦁ Vendosni foto- atë të duhurën
Një CV e mirë përmban foton tuaj. Të gjithë punëdhënësit do të dëshironin të shohin profilin tuaj të plotë. Në këtë rast duhet një kujdes shumë i madh në përzgjedhjen e fotos së duhur. Shmangni fotot e prera, ato të lirshmet (në një mbrëmje miqsh apo pasi keni festuar e kërcyer), fotot tuaja joshëse e ato të vjetra (që nuk i përshtaten pamjes tuaj aktuale). Do të ndikonin për keq në gjithë imazhin që përcillni.


⦁ Përdorni Europass vetëm nëse kërkohet
Ky format, ka marrë një përhapje të gjerë, falë organizimit të mirë që i bën informacionit në kategori, por nga ana tjetër, përmban një sërë detajesh që nuk i duhën çdo punëdhënësi (patenta apo interest e tjera).


⦁ Rifreskoni shpesh
Hidhini një sy herë pas here CV-së tuaj. Listoni ato elementë që janë të rëndësishëm për punëdhënësin potencial dhe përshtateni me kohën. Një CV e pa- përditësuar nënkupton që ju përtoni aq shumë të kujdeseni sa me shumë gjasë do keni të njëjtën përqasje edhe për punën që ju jepet.

sq
en_GB sq